SQ ENG

Programi i Pershpejtimit te Biznesit therret per Ide ne Destinacion

Yunus Social Business Albania po përforcon veprimtarinë dhe impaktin e synuar në vend përmes rritjes së aksesit në mikrofinancim për bizneset sociale, por edhe përmes mbështetjes së aplikantëve dhe sipërmarrësve në përmirësimin e kapaciteteve të tyre të biznesit. 
 
YSB Albania, pjesë e rrjetit global YSB, i bashkëthemeluar nga Laureati i Çmimit Nobel për Paqen, Muhammad Yunus, kërkonte të lançonte edicionin e dytë të Programit të Përshpejtimit të Biznesit në Shqipëri. Kjo e fundit përbën një mundësi unike për sipërmarrësit e rinj për të zhvilluar aftësitë e tyre të lidershipit, për të vënë në provë idetë e biznesit, për të përfituar formim profesional dhe mbështetje për projektet më të mira.
 
Strategjia dhe pozicionimi
Sfida e YSB Albania në lançimin e këtij programi ishte tërheqja e sa më shumë aplikimeve të mirëformuluara, për të pasur një hop cilësor nga edicioni i parë, diçka që do të sillte impakt social më të mirë përmes projekteve të mirëzbatuara të së ardhmes. Programi kishte nevojë për të komunikuar vlerat, përfitimet dhe potencialin e së ardhmes për aplikantët.
 
 
Përpunimi
Si partner i komunikimit në program, McCann Tirana formuloi një fushatë gjithëpërfshirëse komunikimi që përmbante në mënyrë të kombinuar Brandim, Media, Dixhital, PR dhe konsulencë. 
 
“Ide në Destinacion” është premtimi i brandit i zhvilluar nga McCann Tirana, me një gamë vizualesh për print dhe dixhital. Strategjia, të qenurit tërheqës dhe efikasiteti ishin faktorët kryesorë në përgatitjen e materialeve dhe produkteve të fushatës. Përpunimi i imazheve theksoi më tej konceptin e idesë, novacionin dhe frymëzimin, paralelisht me diferencimin e qartë të kategorive kryesore të industrisë të hapura për aplikim.
 
 
Fushata
Qasja mediatike gërshetoi fushatën klasike në print me një fushatë të zgjeruar dixhitale. Ndërsa fushata në print synonte ngritjen e markës e rrjedhimisht të vetëdijes për Programin e Përshpejtimit të Biznesit, fushata dixhitale ishte shumë më direkte duke targetuar dhe drejtuar audiencën në faqen web të Programit, ku mund të informoheshin më tej rreth programit, eventeve të planifikuara e njëkohësisht të dërgonin aplikimin e tyre.
 
 
Në përmbyllje të saj, fushata arriti të drejtonte në faqen web thuajse 12,000 vizitorë dhe gjeneroi mbi 50 aplikime cilësore, duke përmbushur në këtë mënyrë një nga objektivat më të rëndësishëm të fushatës.