SQ ENG

E Jona: Drejt identitetit dhe perfaqesimit

E Jona është një bar në Tiranë që operon si biznes social, me një mision të vërtetë komunitar dhe veprimtari të ndërlidhura me objektivat e saj. Disa persona me nevoja të veçanta janë të punësuar pranë këtij subjekti, dhe shpesh mbahen aktivitete për grupet në nevojë.
 
Duke qenë se fillimisht identiteti i E Jona u krijua ad hoc, u bë më vonë e qartë për themeluesit e saj që një brandim më pranë identitetit dhe më frymëzues ishte i nevojshëm. Detyra e paraqitur ishte sfiduese dhe delikate. Brandimi i ri duhej të ishte tërheqës për klientët dhe përfaqësues i misionit, vlerave dhe aspiratave të E Jona, duke qenë i harmonizuar ndërmjet dy realiteteve, komerciale dhe sociale.
 
Formulimi i identitetit
Kjo situatë ngriti nevojën e një analize të detajuar dhe tërësore të identitetit të saj. Një sërë metodash dhe mjetesh u përdorën, duke i paraprirë procesit kreativ. 
 
Brandimi ekzistues i E Jona orientohej nga dashuria dhe kujdesi mëmësor, ndërsa atributet e E Jona flisnin për diversitet, përfshirje, modesti dhe miqësi.
 
 
Pas analizimit dhe formulimit të identitetit të ri, atribute të tjera u zbuluan dhe/apo u panë të nevojshme duke përfshirë të qenurit ftues, frymëzues, dinamikë dhe të gëzueshëm. Këto rezultate, gjithashtu e zhvendosën arketipin e brandit të E Jona në një fokus të ri.
 
Brandimi i ri
Logoja e re përfshiu vlerat e të qenurit bashkë, përfshirjes, rrethin e miqve, një bisedë të ngrohtë kafeje, thjeshtësinë dhe një vend për çdokënd. U fokusua në mbledhjen e të gjithë simboleve në një pikë.
 
Pika, ku çdokush dhe të gjithë takohen. Logoja në thjeshtësinë e saj të plotë përqendrohet në formën e rrethit. Elementët e saj ndërthurës dhe të ngjashëm ndahen nga ngjyra energjike, janë njëkohësisht të barabartë dhe të ndryshëm. Brandimi i ri ishte plotësues ndaj stilit vizual dhe mjedisit të rinovuar të barit, duke mundësuar një përditësim tërësor të ambientit.
 
 
Komunikime harmonike
Pas identitetit të ri të E Jona, u hartua një strategji e Marrëdhënieve me Publikun (PR) me aktivitete të detajuara për të plotësuar ciklin e komunkimeve. Orientimi iu dha në drejtim të specifikave të realitetit të një bari social përmes metodologjive PR të mirëstudiuara.