SQ ENG

Programi Kombetar i Praktikave te Punes perqafon epoken dixhitale

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me mbështetjen e Këshillit të Ministrave dhe PNUD, ishte duke konsideruar zgjerimin e programit të Praktikave të Punës.
 
Programi në vetvete ishte nisur në 2014 dhe adresonte pozicionet e praktikës brenda vetë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Si rrjedhim i suksesit të këtij edicioni, projekti ishte kandidat i një zgjerimi që do të përfshinte të gjitha ministritë e aparatit shtetëror, bashkë me institucionet e tyre të varësisë.
 
Aplikimi do të ishte i hapur për të gjithë profesionistët e rinj midis 21-26 vjeç me një diplomë ‘bachelor’ dhe me vullnetin e mirë për t’u rritur profesionalisht. Lista përfshinte 117 institucione dhe më shumë se 1900 pozicione për praktikë ku secili nga aplikantët kishte të drejtën të zgjidhte 2 institucione gjatë aplikimit.
 
Duke marrë parasysh rëndësinë, shkalla e gjerë e projektit dhe numri i pritshëm i aplikantëve të interesuar, detyra për zhvillimin e një rruge të thjeshtë dhe efiçente për aplikimin e të gjithë të interesuarve ju besua agjencisë.
 
Vizioni ishte për të krijuar një dritare dixhitale e cila do t’i paraqesë të gjithë informacionin e nevojshëm aplikantëve bashkë me formularin e aplikimit, e njëkohësisht të shërbente si një portal informues për të gjitha pyetjet dhe lajmet e reja lidhur me programin.
 
 
Agjencia zhvilloi një faqe interneti të mirëfilltë, bazuar në tre kolona kryesore: fuqia e HTML5, hijshmëria e dizajnit responsiv dhe një CMS e fuqishme për të menaxhuar gjithçka. Vetë formulari i aplikimit u ndërtua sipas nevojës, veçmas pjesës tjetër të faqes, në mënyrë që të mundësonte integrimin e komandave logjike të nevojshme për fushat me zgjedhje si dhe për të pasur kontroll e siguri të plotë mbi databazën e aplikimeve.
 
Rezultati final ishte një faqe interneti moderne, e pasur në foto, video e funksione të tjera intuitive, tërësisht e përshtatshme ndaj pajisjes apo ekranit nga po shfletohej dhe tej mase e lehtë për t’u menaxhuar: një bazë themelesh solide për këtë edicion të programit si dhe për edicionet e ardhshme.
 
 
Agjencia gjithashtu ndihmoi duke lartësuar identitetin vizual të programit, një imazh që më tej u mbart tek faqosja e faqes së internetit, banners dixhital dhe përmes një fushate në mediat sociale.
 
 
Më tej, fushata PR e programit, drejtuar nga zyra e Kryeministrit u lançua me një konferencë të përbashkët të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama dhe Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi. Për këtë event, agjencia përgatiti gjithashtu një video e cila hidhte dritë mbi faqen e internetit dhe aplikimin online e njëkohësisht ilustronte impaktin e gjerë që ky program do të kishte në të gjithë vendin.
 
 
Në përfundim të periudhës së aplikimeve, të gjithë përpjekjet duket se paguan dividend: fushata arriti të drejtonte më shumë se 15,000 përdorues tek faqja e internetit duke krijuar më shumë se 100,000 faqe të shfletuara në vetëm 14 ditë. Konferenca dhe videoja ilustruese u shfaqën në vazhdimësi nëpër kanale kombëtare e si rezultat i aktiviteteve u arrit kuota e 2700 aplikimeve, pak më shumë se parashikimet më optimiste në fillim të këtij projekti.