SQ ENG

Logoja nga McCann Tirana do te perfaqesoje Shqiperine ne Keshillin e te Drejtave te Njeriut

Aspiratat e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB, do të ketë identitetin e saj vizual nga McCann Tirana.
 
Një logo e dedikuar për këtë zhvillim të rëndësishëm u përgatit nga agjencia dhe u prezantua në një konkurs të mbajtur nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku një sërë agjencish dhe individësh paraqitën punët e tyre. Identiteti vizual i “Shqipëria, Kandidate për Këshillin e të Drejtave të Njeriut 2015-2017” u propozua si një kontribut pro bono (falas) ndaj përpjekjeve të vendit për t’iu bashkuar një prej institucioneve më të vlerësuara të vlerave universale. Skuadra e McCann u angazhua për të dhënë më të mirën, duke u përzgjedhur edhe si agjencia fituese.
 
 
“Diversiteti, barazia dhe respekti për tjetrin është një trashëgimi unike e komunitetit shumëkulturësh dhe shumëreligjioz të Shqipërisë”, thotë Drejtorja Artistike e McCann Tirana, Flonia Vasia. Zj. Vasia, e cila dizenjoi logon, shpjegon se kompozimi i temës ngre një valle tradicionale shqiptare, sepse me fjalët e saj, “ruajtja dhe mëkimi i njerëzores, për ne është një rast për ta festuar”.
 
Logoja mishëron në thelbin e saj frymën e kandidaturës në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Në zemër të saj është forma e shqiponjës në flamurin shqiptar dhe simbolika e ngjyrave të tij, krijuar nga silueta njerëzore. Pozicioni dhe dinamika e tyre sugjeron edhe aspiratën shqiptare drejt standardeve të Bashkimit Europian në fushën e të drejtave të njeriut. Stili është rinor, bashkëkohor, dinamik dhe shumëngjyrësh, për të shkuar në të njëjtën linjë me frymën e së resë.
 
          
 
Administratorja e McCann Tirana, Suela Shtylla thotë se agjencia kontribuoi me punë pro bono, sipas traditës së saj për të dhënë kurdoherë dijen më të mirë dhe për të gjeneruar rezultate të cilësisë më të lartë. “Është një shembull mjaft i mirë i bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat për të arritur një rezultat të qëndrueshëm në dobi të imazhit të vendit. Jemi vërtet të gëzuar që talenti dhe përkushtimi i McCann Tirana kontribuon në angazhimin e Shqipërisë për t’u prezantuar si e barabartë ndër kombet e tjera”, Zj. Shtylla vëren.
 
Në aktivitetin festiv të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, skuadra e McCann Tirana u përgëzua për cilësinë e lartë krijuese në përfaqësimin e kandidaturës së Shqipërisë. “Doja t’ju falënderoja për kontributin. Hapja e këtij konkursi në vetvete është unik për ne. Logoja juaj është e duhura për përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Duam ta shumëfishojmë këtë bashkëpunim në të ardhmen”, Ministri Ditmir Bushati iu drejtua përfaqësuesve të agjencisë.