SQ ENG

Respekto Edhe Te Gjallet: Fushata qe perdor traditen per te rritur sigurine e kembesoreve

Fushata e ndërgjegjësimit për respektimin e lëvizjes së këmbësorëve nga drejtuesit e makinave, përmes një aksioni qytetar mes kultit të vdekjes dhe jetës.

 

“Respekto edhe të gjallët!” është mesazhi që Ministria e Punëve të Brendshme po jep për publikun përmes një fushate të koordinuar me sektorin e komunikimit privat. Fushata u ideua dhe u realizua vullnetarisht dhe pa asnjë kosto për taksapaguesin shqiptar nga agjencia McCann Tirana në përgjigje të kërkesës së Ministrisë për bashkëpunim.
 
Kjo ndërhyrje e cila synon ndërgjegjësimin e shoferëve dhe këmbësorëve sa i takon rregullave të trafikut është e një rëndësie parësore, duke qenë se të dhënat e aksidenteve me pasoja mbi jetën paraqiten shqetësuese. Ndërsa qytetarët që tentojnë të kalojnë në vijat e bardha shpesh injorohen nga shoferët, këta të fundit nuk hezitojnë të respektojnë traditën, duke u ndalur menjëherë para kolonave mortore që shoqërojnë të ndjerin në varrezë apo kortezheve të këmbësorëve që kalojnë rrugën.
 
 
Puna për realizimin  fushatës u përqendrua pikërisht mbi këtë paradoks, duke ngritur kultin e jetës mbi atë të vdekjes dhe duke “vendosur projektorët” mbi të gjallët, në një kohë kur vetëm në vitin 2013, në aksidente rrugore humbën jetën 95 këmbësorë. Kështu, një kortezh prej 95 vetash, për të përfaqësuar cilindo këmbësor që ka humbur jetën, të veshur me të zeza dhe me kurora lulesh në duar iu drejtuan pikëkalimeve të vijave të bardha, dhe trafiku u ndal menjëherë për të respektuar kortezhin. Pasi kortezhi kaloi rrugën, pjesëtarë të procesionit u ndalën dhe hapën një banderolë ku shkruhej “Respekto edhe të gjallët”. Reagimet ishin të larmishme, nga habia deri te duartrokitjet, por shfaqja e përsëritur disa herë, u prit mirë në një masë të madhe, nga shoferët dhe këmbësorët. 
 
Një spot ndërgjegjësues u realizua mbi këto aksione, për t’u shpërndarë më tej përmes kanaleve mediatike online, përfshi mediat sociale për të zgjeruar më tej ndikimin mbi ndërgjegjësimin publik.
 

 
Kjo është ndër të paktat fushata të natyrës guerile të realizuara në Shqipëri, me fokus te përfshirja direkte dhe e palajmëruar e komunitetit të synuar. Një rol thelbësor në suksesin e kësaj fushate unike i takon edhe Kube Studios, partnerëve në prodhim për realizimin e këtij koncepti.