SQ ENG

Suela Shtylla, McCann Tirana: Ne ndihemi si nje hallke e rendesishme e rrjetit te madh te botes se reklamave

McCann Tirana është pjesë e I&F McCann Grupa, duke e konsideruar veten "Shqiptarë të shek. 21" të cilët "kanë lënë kafen turke të gjyshërve të tyre në këmbim të espresove të shkurtra, duke ruajtur bisedat e tyre të gjalla e të gjata." MM foli me Drejtoreshën e McCann Tirana Suela Shtylla, rreth rolit brenda I&F McCann Grupa, ndryshimeve të botës së reklamave në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të rajonit si dhe tregun shqiptar.
 
Artikulli paraqitet siç është shfaqur në portalin Marketing Magazin.
 
Mund të prezantoheni për lexuesit tanë? Cili është misioni juaj? Cili është qëndrimi që ju mbani?
 
Do të doja të falenderoja Marketing Magazin për interesin e shprehur rreth tregut shqiptar dhe më duhet të them se jam shumë e lumtur për mundësinë që më është dhënë për të folur me një portal slloven, duke qënë se festivali Golden Drum është një nga eventet më të rëndësishme për ne. Në Portoroz, ne ishim agjencia e parë shqiptare që fitonte një çmim ndërkombëtar për projektin tonë “Respekto edhe të gjallët”.
 
 
McCann Tirana është një agjenci me shërbim të plotë, që operon në Shqipëri prej 9 vitesh dhe unë jam krenare për ekipin tonë të palodhshëm të cilët mbështesin klientët tanë çdo ditë për të arritur konsumatorët shqiptarë. Moto e McCann “Truth Well Told” për ne përfaqëson një rrugëtim në krijimin e komunikimit. Ju lutem më lini ta bëj këtë sa më të thjeshtë dhe informale. Ne kuptojmë çfarë klienti kërkon prej nesh, por ne thellohemi akoma më shumë për të kuptuar nevojat e konsumatorëve dhe përpiqemi që ta arrijmë këtë, duke përdorur resurset e rrjetit dhe njohuritë për krijuar komunikim efektiv. Agjencia jonë është e përbërë nga strategë, media planners dhe blerës, dizajnera, PR, menaxherë eventesh, producentë... Partnerët tanë janë të shumtë, si lokalë ashtu edhe ndërkombëtarë. Me disa prej tyre ne kemi një bashkëpunim ndër vite. Dhe ndihem krenare kur them se McCann Tirana është një nga agjencitë kryesore në tregun shqiptar. 
 
Si është të jesh pjesë e I&F McCann Grupa? Sa persona punojnë në zyrën e Tiranës?
 
Është emocionuese të jesh pjesë e I&F McCann Grupa dhe McCann Worldgroup. Ne ndihemi si një hallkë e rëndësishme e këtij rrjeti të madh të botës së reklamave. Tregu i reklamave në Shqipëri sjell sfida të reja çdo ditë, por rrjeti ku ne bëjmë pjesë është një plus i madh në shkëmbimin e eksperiencave, të mësuarit dhe mbështetjes ndaj njëri-tjetrit për gjetjen e zgjidhjeve si një familje e madhe dhe e sigurt. Në zyrën e Tiranës punojnë më shumë se 15 profesionistë nga fusha të ndryshme dhe ndihem me fat që kryesoj një grup të tillë dhe që jam përgjegjëse për performancën dhe suksesin e ekipit tonë.
 
Punoni vetëm me klientë lokalë apo edhe ndërkombëtarë?
 
McCann Tirana bashkëpunon si me klientë ndërkombëtarë ashtu edhe lokalë. Tregu shqiptar po rritet çdo ditë dhe bizneset ndërkombëtare po shtohen gjithmonë e më shumë.
 
Për ne është shumë e rëndësishme të investohet shumë kohë në komunitetin e biznesit pasi ne jemi ende një treg në zhvillim, ku ekziston një hapësirë e madhe për përmirësim dhe ne jemi të lumtur që ka një rritje të markave vendase. Këtë e shoh si një pjesë të rëndësishme të rritjes së mëtejshme të tregut shqiptar dhe një mundësi për ne që të tregojmë ekspertizën tonë në zhvillimin e markave.
 
Gjatë këtyre nëntë viteve të fundit, ishte tepër e rëndësishme ndërtimi i ekspertizës, besueshmërisë dhe një ekipi të fortë, me një reputacion të mirë në treg dhe ne jemi të lumtur që reklamuesit na shohin ne si një nga zgjedhjet më të mira për të bashkëpunuar për kreativën, median dhe dixhital.
 
Si do e përshkruaje panoramën e reklamave në Shqipëri dhe sfidat më të mëdha?
 
Panorama e botës së reklamave në Shqipëri është shumë komplekse. Nëse do e përshkruaja me një fjalë do të thoja në “evolucion”. Historia e reklamave shqiptare ka filluar pas viteve 90 dhe gjatë këtyre viteve ka qënë e vështirë të arrinim cilësinë dhe teknologjinë e standardeve të reklamave europiane. Çdo vit ka diçka të re dhe kërkesa është rritur në mënyrë progresive. Çfarëdolloj gjëje që mund të duket tepër e avancuar, tregu shqiptar mund ta pranojë dhe absorbojë shumë shpejt. Nga ana tjetër, tregu i Shqipërisë nuk është në lulëzim financiar dhe kjo prek sigurisht edhe buxhetet e reklamimit dhe PR-it. Në këto kushte, sfida jonë më e madhe si agjenci është gjetja e mënyrave kreative të komunikimit për t’ju përmbajtur buxheteve të vëna në dispozicion nga klientët. Ndonjëherë ne duhet të edukojmë klientët tanë të kuptojnë më thellësisht konsumatorët dhe reklamat. Besoj që kjo mënyrë bashkëpunimi i ndihmon ata të vlerësojnë më shumë reklamimin dhe ata mund të shohin se si partneriteti ynë po sjell rezultate të rëndësishme biznesi.
 
 
A ndryshon bota e reklamave në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të rajonit? A ka diçka specifike për t’u marrë në konsideratë?
 
Nuk ndryshon shumë. Disa tendenca po kristalizohen si kudo në rajon. Markat po përpiqen të rinovojnë komunikimin e tyre me qëllim që të diferencohen nga konkurrenca. Ka përpjekje strategjish dhe taktikash në një farë mënyre ku fushatat arrijnë te njerëzit falë përdorimit të kanaleve novatore të reklamimit, produkteve novatore po ashtu dhe atyre dixhitale të cilat me ngadalë po i zënë vëndin reklamave tradicionale. Markat tashmë nuk reklamojnë vetëm produktet e tyre, ato përpiqen të zgjidhin problemet e njerëzve dhe të përmirësojnë jetët e tyre, ato përpiqen të bëhen pjesë e botës emocionale duke u përpjekur të shkojnë përtej duke reklamuar vlerat por gjithashtu edhe sjelljen dhe filozofinë e tyre. 
 
Pra po zhvillohet, megjithëse kryesisht jo me sukses. Mungesa e buxhetit, por edhe mungesa e ideve e kreativitetit janë disa nga faktorët kryesorë.
 
Çfarë mendimi keni për festivalin e Cannes të këtij viti dhe fushatat e vlerësuara me çmime?
 
Nga sa kam vëzhguar, trendi në botën e reklamave është fokusi ndaj eksperiencës së markës më shumë se thjesht transmetimi i informacionit mbi një produkt të caktuar. Ajo që është e qartë tani është se vija ndarëse midis mediave të ndryshme po shpërbëhet çdo ditë e më shumë. Është e pamundur të përcaktohet nëse një fushatë do të jetë online, outdoor apo në median tradicionale. Mediat po njehsohen për të arritur një qëllim të caktuar: t’i japin klientit një emocion dhe ndjenjë përkatësie rreth me markës së tyre. Lidhja emocionale është ajo që sot bën ndryshimin në krijimin e besnikërisë dhe përkatësisë afatgjatë.
 
Pyetja e fundit. Si do e përshkruanit pozicionin e reklamave dixhitale në Shqipëri dhe në rajon? Në cilën fazë ndodhet?
 
Media dixhitale në Shqipëri është në rritje. Numri i vizitorëve onlinë po shtohet megjithëse është akoma faza fillestare. Puna në një agjenci për kaq shumë vjet më ka dhënë mundësinë të vëzhgoj se si media dixhitale po fillin të tërheqë shumë e më shumë klientë dhe po bëhet një pjesë tepër e rëndësishme e komunikimit dhe një trend në zhvillim.
 
Ditët e sotshme, Shqipëria numëron pothuajse 1.8 milionë përdorues të internetit, pjesa më e madhe e të cilëve është e pajisur me smartphone. Si në pjesën tjetër të botës, kjo ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si shumë kompani angazhohen me konsumatorët e tyre. 
 
Kompanitë shqiptare po tregojnë më shumë interes në krijimin e fushatave online për shkak të dy faktorëve kryesorë: kosto më të ulëta dhe rezultate të menjëhershme. Ne po investojmë në mnëyrë të vazhdueshme në edukimin dixhital duke sjellë standardet më të fundit duke ndjekur trendin e komunikimit dixhital. Unë besoj që nuk ka shumë ndryshim nga pjesa tjetër e rajonit dhe jam e sigurt se ne po rritemi të gjithë në këtë fushë.